Këshilla për t'u përballur me vështirësitë në përmbushjen e detyrimeve të kredisë Kur keni një kredi, është thelbësore të bëni pagesë në kohë të kredisë. Megjithatë, ndonjëherë në jetë ndodhin situata të papritura që ju pengojnë të përmbushni afatin e pagesës së kësteve, ose lindin detyrime të paparashikuara që mund të ndikojnë në gjendjen tuaj financiare dhe aftësinë për të përmbushur detyrimet tuaja. Lind pyetja: çfarë duhet të bëni nëse gjendeni në një situatë të tillë? Zvogëloni shpenzimet tuaja. Nëse jeni në një situatë ku të ardhurat tuaja mujore nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet dhe detyrimet tuaja të kreditit, së pari përpiquni të zvogëloni shpenzimet tuaja. Kur përballeni me një sfidë të tillë financiare, gjëja më e rëndësishme është të jeni të disiplinuar në përmbushjen e detyrimeve tuaja dhe të zvogëloni shpenzimet që nuk janë me rëndësi jetike - argëtim, veshmbathje, udhëtime, etj. Është gjithashtu e mundur të zvogëloni shpenzimet që bien në kategoritë e produkteve për nevojat parësore, siç është zgjedhja e një alternative më të lirë për ushqim, përdorimi i transportit publik në vend të një makine personale, etj. Komunikoni me institucionin tuaj financiar. Një situatë që krijon vështirësi financiare për ju është padyshim një përvojë e pakëndshme, por në situata të tilla është me rëndësi të veçantë të komunikoni me kompaninë ndaj së cilës keni detyrime financiare. Vetëm komunikimi në kohë dhe i ndershëm do t'ju shpëtojë nga kostot shtesë për shkak të vonesës dhe do t'ju ofrojë një shans më të mirë për të arritur një marrëveshje me kompaninë për pagesa të shtyra, etj. Kryeni një pagesë, nëse është e mundur. Nëse ka një mundësi, bëni një pagesë për një pjesë të borxhit, sepse kostot për shkak të vonesës vazhdojnë të grumbullohen, dhe nëse nuk bëni asnjë pagesë, situata juaj mund të përkeqësohet. Kurseni sot. Nëse keni fonde shtesë, të cilat i mbani si kursime për situata të papritura, mund t'i rialokoni ato për të paguar një pjesë të borxhit dhe kështu të shmangni probleme shtesë. Megjithatë, sfida kryesore është të siguroni një fond rezervë për emergjencat, të cilat, nga ana tjetër, do të kërkojnë sakrificë, domethënë, do t'ju duhet të shpenzoni më pak se sa fitoni ose se shpenzimet me të cilat jeni mësuar tashmë. Çfarë të mos bëni? Nuk duhet ta injoroni problemin. Mos merrni kredi të reja për të paguar borxhet ekzistuese. Mos e shmangni komunikimin me kompaninë ndaj së cilës keni detyrime financiare Mos lejoni t’ju zë paniku Duke ndërmarrë hapa të përshtatshme dhe të përgjegjshme, do t’i kapërceni vështirësitë. Mos harroni, komunikimi, disiplina dhe menaxhimi i arsyeshëm i kostove janë thelbësore në këto momente. Dhe më e rëndësishmja, mos kini frikë të kërkoni ndihmë dhe këshilla nga ekspertë financiarë. Me strategjinë dhe vazhdimësinë e duhur, mund të kapërceni vështirësitë dhe të ndërtoni një situatë të qëndrueshme financiare në të ardhmen.
02.05.2024