Si t’i mbroni të dhënat tuaja personale?

Në botën e epokës dixhitale, siguria e të dhënave tuaja personale është me rëndësi kritike. Me përparimin e përditshëm të teknologjisë, keqpërdorimi i informatave tuaja personale mund të jetë një shënjestër e lehtë për kriminelët kibernetikë. Prandaj, informohuni me kohë dhe jini të përgjegjshëm. Në këtë postim në blog, do t'ju japim disa këshilla se si të mbroni të dhënat tuaja personale. 

 

RAPORTONI NËSE E HUMBNI LETËRNJOFTIMIN TUAJ 

Nëse e humbni kartën tuaj të identitetit, reagoni menjëherë. Raportojeni në stacionin e policisë dhe mos harroni të kontaktoni të gjitha institucionet me të cilat keni bashkëpunim dhe t'i informoni ata për humbjen e letërnjoftimit tuaj. Kjo do të parandalojë abuzimin e mundshëm në të cilin të dhënat tuaja personale mund të përdoren për vjedhje identiteti. 

MOS ZBULONI INFORMACIONE PËR LLOGARITË DHE FJALËKALIMET TUAJA 

Mos ndani kurrë informacione në lidhje me llogaritë tuaja bankare, kodet PIN ose fjalëkalimet me askënd tjetër. Mbroni financat dhe të dhënat tuaja personale nga abuzimi i mundshëm. 

KUJDES KU E JEPNI LETËRNJOFTIMIN 

Nëse dikush kërkon një kopje të letërnjoftimit tuaj, kini kujdes. Konfirmoni se kush po ju pyet dhe pse nevojitet kopja. Jepni letërnjoftimin tuaj vetëm institucioneve të sigurta dhe të licencuara. Kjo ju jep kontroll mbi kur dhe si përdoret karta juaj e identitetit. 

NDANI TË DHËNAT TUAJA PERSONALE ME KUJDES 

Ju jeni pronari i vetëm i të dhënave tuaja personale dhe duhet të vendosni me kë dhe kur i ndani ato. Lexoni të gjitha pëlqimet që u jepni çdo institucioni, kompanie ose individi me të cilin punoni. Mos ndani më shumë informata sesa është e nevojshme. 

JINI TË VETËDISHËM PËR USHTRIMIN E TË DREJTAVE TUAJA 

Si subjekt i të dhënave, ju keni të drejtë të kërkoni ushtrimin e të drejtave tuaja. Nëse jeni në një marrëdhënie biznesi ose bashkëpunim me institucione, mos hezitoni të kërkoni të drejtat që ju takojnë. 

PËRDITËSONI TË DHËNAT TUAJA PERSONALE ME KOHË 

Përgjegjësia për përditësimin e të dhënave tuaja të kontaktit është e juaja. Sa herë që ndryshoni mbiemrin, numrin e telefonit, adresën ose ndonjë të dhënë tjetër, telefononi ose vizitoni institucionet me të cilat punoni dhe kërkojuni atyre të përditësojnë të dhënat tuaja. Kjo do t'i ndihmojë ata t'ju kontaktojnë kur është e nevojshme dhe t'ju ofrojnë mbrojtjen më të mirë të të dhënave tuaja personale. 

Mbrojtja e të dhënave tuaja personale është një përgjegjësi e rëndësishme e secilit prej nesh. Kini kujdes, jini përgjegjës dhe mbroni të dhënat tuaja personale nga abuzimi i mundshëm. Siguria juaj është në duart tuaja. 

Related articles

Kthehu